Gaforrja & Ashendentja Gaforre, Parashikimi i muajit Qershor 2024

Këtë muaj do jeni shumë punëtorë po pak si tepër. Ndoshta merrni përsipër një punë që nuk ju takon ose do merrni përsipër më shumë seç mund të mbani. Kujdes se mos bëni punët e të tjerëve. Ka shumë mundësi që t’ju duhet që të punoni jashtë orarit dhe gjithashtu ka mundësi që një punë që keni marrë përsipër, të kërkojë më shumë punë seç keni menduar. Mund të ballafaqoheni me më shumë përgjegjësi seç do donit të kishit tani. Këto mund të jenë detyrime karshi familjarëve, miqve, kolegëve, eprorëve në punë, partnerit, shtetit etj. Ka gjithashtu mundësi që t’ju duhet ta merrni punën me vete në shtëpi që ta përfundoni.

Në javën e parë të muajit do ndjeheni të lirë, më në fund, për të lëvizur ashtu siç keni dashur. Gjërat që ju kanë shqetësuar në të shkuarën, që ju kanë lodhur mendërisht, tani nuk janë më prezente. Do keni mundësinë për ta vërtetuar veten. Më në fund gjatë kësaj jave do ju jepet mundësia për t’i filluar, për të tërhequr vëmendjen e të tjerëve dhe për të thënë anën tuaj të një historie… më mirë vonë se sa kurrë.

Në javën e dytë të muajit mund t’ju duket se përfundimisht nuk mund të punoni asnjë orë më shumë ose se nëse punoni orë ekstra, do e bëni punën keq. Ata prej jush që marrin përsipër më shumë seç mund të përballojnë, do pendohen gjatë kësaj jave, kështu që mos e bëni. Mësoni të thoni jo. Nëse doni të bëni dhe një punë tjetër, harrojeni. Nëse doni edhe të dilni, të deheni, edhe të jeni gati për punë të nesërmen, do pendoheni. Mësoni të relaksoheni dhe të mos bëni më shumë seç mundeni. Ju sugjeroj që të mos udhëtoni këtë muaj sepse ose do keni vonesa, ose do keni anullime fluturimesh apo udhëtimesh me autobuz, ose do e humbisni për shembull ndeshjen apo koncertin që doni të shikoni.

Në javën e tretë të muajit disa prej jush do e dallojnë edhe vetë që keni nevojë për pak rregull dhe më shumë organizim në jetën tuaj. Nëse e lini veten në një gjendje të vazhdueshme tranzicioni, udhëtimi shpirtëror le të themi, nëse vazhdimisht jeni duke udhëtuar apo duke përjetuar të njëjtën gjë në vende apo njerëz të ndryshëm, i vetmi ndryshim që bëni në fund të ditës, është vendi ku flini. Ka gjendje të ndryshme amullie dhe edhe lëvizja e vazhdueshme është një prej tyre. Ndonjëherë sfida më e madhe është të rrish i palëvizur, dhe ky duhet të jetë njëqëllim që duhet ta qartësoni brenda javës së tretë. Brenda kësaj jave disa prej jush mund të duan që të heqin dorë nga puna apo të ndryshojë karrierë, por nuk është momenti i duhur për të bërë këtë gjë.  Ose nuk është momenti i duhur, ose nuk është ndryshimi që keni ndërmend i duhuri. Mundet edhe që të ritakoni dikë që ka bërë një udhëtim të vetin dhe kthehet si njeri tjetër.

Ndoshta kjo gjë do ndodhë me këtë njeriun që kthehet nga larg, por në javën e katërt të muajit mund të bashkoheni me dikë. Mund edhe të mos jetë lidhje fizike, mundet edhe të zgjidhni konfliktin tuaj me dikë. Dikush mund t’ju japë një dhuratë, duke qënë se është dhe periudha e ditëlindjeve tuaja, dhe ta forcojë lidhjen me ju. Mund edhe t’ua japin një dhuratë për qejf, pa një arsye. Në përgjithëse gjatë kësaj jave do keni kontakte shumë harmonike me njerëzit kështu që përpiquni që ta shfrytëzoni këtë gjë në avantazhin tuaj.

Në dashuri dikush do ju kërkojë diçka më shpirtërore, një lidhje më pak fizike dhe më emocionale. Njeriu tjetër do diçka më shumë, përndryshe ai ose ju (pra mund të jeni ju ai që do diçka të tillë) do e lini pas këtë lidhje. Ata prej jush që janë në një marrëdhënie të lëkundur dashurie, ndodhen në një lidhje ku njëri është shumë pasiv, nuk jep, ndërsa tjetri  ndjen se e mban vetë gjithë barrën me dëshirat e veta emocionale dhe ndjen se barra do i plasë nga momenti në moment. Do vijë një moment kur gjërat do dalon në sipërfaqe dhe lidhja që ju intereson, do lëkundet shumë dhe në mënyrë të paparashikuar. Pas momentit kur flitet kjo e vërttetë, do ju shtyjë që gjërat t’i shikoni në mënyrë krejt tjetër. Do e shikoni situatën ndryshe dhe sido që të jetë, vazhdoni bashkë ose jo, do ecni përpara. Ndoshta për disa prej jush do jetë e habitshme, dhe do ju duhet që të flisni më gjatë për ta sqaruar më shumë dhe për ta kuptuar më shumë tjetrin, por ndoshta disa prej jush janë me dikë që nuk do të njëjtën gjë, dhe kjo gjë do rrëfëhet këtë muaj. Vazhdimi pastaj mbetet personal, nëse kjo do ju forcojë apo do e trondisë përfundimisht lidhjen tuaj romantike.

Sfida e këtij muaji është që të kuptoni pushtetin që keni për të ndryshuar jetën tuaj, të kuptoni se sa në kontroll në fakt jeni të realizimit të dëshirave dhe ambicieve tuaja. Ndoshta keni kohë që ankoheni për një gjë ndryshimin e të cilës e keni vetë në dorë. Mos u tregoni të paaftë kur nuk jeni. Nëse i lini gjërat që të rrëshqasin, do rrëshqasin, por nuk keni pse t’i lini.

Kjo sigurisht tregon një nervozizëm apo një ankth të fshehur të cilin ndoshta nuk e keni ballafaquar apo kuptuar mirë. Ndonjëherë biem poshtë në disa emocione të cilat, edhe nëse i kemi njohur disi më përpara, nuk janë emocione të cilat dimë se si t’i trajtojmë apo menaxhojmë. Nëse ndjeni se keni nevojë për vëmendjen, këshillimin e dikujt, kërkojeni. Kjo do ju ndihmojë që të kuptoni më mirë natyrën dhe arsyen se pse mund të ndjeheni vështirë në një moment të caktuar, gjë që sigurisht mund dhe i ndodh të gjithëve. Nuk keni pse të nxitoheni dhe të veproni në mënyrë të shpejtë. Mos veproni impulsivisht dhe as mos ia lini fatit gjërat në dorë, sepse kjo mund vetëm ta përkeqësojë situatën tuaj. E di që është pak leksion i mërzitshëm, por shpresoj t’ju duket i nevojshëm. Ju uroj vetëm më të mirën.

Qiell të mbarë.

Shopping cart

0
image/svg+xml

No products in the cart.

Continue Shopping