Ujori & Ashendentja Ujor, Parashikimi i muajit Qershor 2024

Qershori është një muaj ku ju punoni shumë, do mundoheni të mbani dy kunguj nën sqetull. Mund të dilni vullnetarë për një punë për të cilën do pendoheni më vonë, kështu që mbajeni parasysh këtë gjë në mënyrë që ta shmangni një moment të sikletshëm. Këtë muaj duhet të përpiqni që të ndani prioritetet tuaja, të planfikoni kohën, të organizoni veten. Ndonjëherë mund të fitojmë shumë nga puna por ndërkohë të harrojmë atë gjënë më të rëndësishme. Mos punoni tepër duke mos i lënë vetes kohë për të shijuar marrëdhëniet personale të jetës tuaj.

Në javën e parë të muajit do dilni nga vendi ku keni qëndruar të fshehur dhe do filloni t’i përkushtoheni një cikli të ri. Gjërat do fillojnë të progresojnë ashtu si duhet. Mund të merrni përgjigje nga një aplikim, pozitive ose negative. Gjithashtu mund të merrni rezultatin e një testi apo provimi. Në përgjithësi, nëse beni ndonjë gabim të vockël kësaj jave, do ia dilni që të mos vuani ndonjë ndëshkim.

Në javën e dytë të Qershorit do tregoheni shumë intensivë, të vendosur, pasionantë dhe optimist. Java e dytë e muajit është një javë shumë e mirë pasi drejt jush do vijnë mundësi të reja prej të cilave mund të përfitoni. Është javë veçanërisht e mirë për ata prej jush që kanë biznesin e vet, që fitojnë në bazë të shitjeve që bëni apo të aftësisë suaj krijuese sepse kjo e fundit do theksohet. Do keni mundësinë për të fituar më shumë para, më shpejt. mund të merrni një ftesë për t’iu bashkuar një grupi ose një ftese për të dalë me dikë por jo në mënyrë domosdoshmërisht serioze.

Në javën e tretë të muajit do luani shumë me financat tuaja. Do përpiqeni që të ruani një ekuilibër dhe do doni që t’i respektoni më shumë prioritetet tuaja. Ka mundësi që të jeni ngarkuar kaq shumë me punë sa s’mbani dot më. Mund t’ia dilni mirë edhe pse jeni shumë të ngarkuar por nëse merrni edhe një punë tjetër përsipër, riskoni të humbisni. Do merreni me shumë gjëra përnjëherësh por do ia dilni.

Java e fundit e Qershorit mund të jetë pak më e vështirë. Ndoshta disa prej jush do ndjejnë humbjen e diçkaje, ose të trishtë për faktin që nuk keni diçka që do donit ta kishit. Kjo nuk është javë ku fitoni, kjo është javë ku duhet të përpiqeni që të vlerësoni ato që keni dhe të mos mërziteni për ato që s’keni më apo ato që thjesht s’i keni. Ndoshta dikush tjetër mund t’ju thotë që është shumë i mërzitur, ndoshta ju mund të mërziteni prej largimit të dikujt, i cili mund të jetë edhe koleg pune. Ata që janë të lidhur, mund t’ju duhet që të ofrojnë më shumë mbështetje psikologjike apo emocionale për partnerin.

Në dashuri ju e dini se çfarë të bëni por thjesht po prisni për diçka, për një shenjë apo për një moment tjetër që të bëni një lëvizje.  Mund të jeni duke pritur që të merrni një vendim për shkak se nuk jeni shumë të sigurt mbi atë që keni në mendje. Mund të flisni me miqtë tuaj mbi këtë dyshim, të pyesni pak mendimin e tyre mbi këtë situatë apo të lehtësoni disi mendjen tuaj sepse nuk doni që të mendoheni gjatë mbi dyshimin tuaj. Disa prej jush mund të duan që të largohen prej njeriut tjetër sepse nuk e gjejnë veten, ose personi tjetër nuk po e gjen veten me ju, por nuk e di se ku të shkojë gjithsesi. Ata prej jush që janë duke u marrë me më shumë se një person, nëse e lini atë që nuk ju ofron dot fare diçka të vërtetë, do bënit mirë që të forconi lidhjen me atë që ia vlen. Disa prej jush mund të jenë dukë u marrë me dikë që largohet atëhere kur dallon që kërkohet një lloj përkushtimi në lidhje. Përpiquni që të tregoheni të kujdesshëm këtë muaj, ata prej jush që nuk kanë një lidhje të konsoliduar apo me një pozicion të qartë. Nëse nuk doni të merreni me dikë që kërkon përkushtim, mos e iluziononi, dhe nëse doni që të merreni me dikë që t’i përkushtoheni por personi tjetër e lufton këtë gjë, lëreni të ikë.

Sfida e këtij muaji është të ballafaqoheni një herë e mirë me një lëndim apo trishtim brenda vetes, sepse nëse nuk e ballafaqoni tani, do përsëritet. Nuk ka pse të jetë një përfundim shumë i vështirë nëse nuk e ballafaqoni tani atë që ndjeni, por nuk duhet t’i shmangeni konflikteve për aq kohë sa vazhdojnë të përsëriten. Sado keq apo të inatosur që të ndjeheni në ndonjë moment këtë muaj, mos e humbisni qetësinë sepse mund ta ktheni çdo gjë në avantazhin tuaj për aq kohë sa tregoheni të logjikshëm dhe gjakftohtë.

Qiell të mbarë.

Shopping cart

0
image/svg+xml

No products in the cart.

Continue Shopping